Imam Kalaja reagon pas paralajmërimit të ambasadës së SHBA: Kush guxon të prekë kishat e të krishterët na ka përballë

Imami Ahmed Kalaja ka dhënë një
mesazh të fortë dhe uniteti mes
myslimanëve dhe të krishterëve të
Shqipërisë në ditët e festës së
Pashkës. Gjatë lutjes së xhumasë në
xhaminë “Dine Hoxha” në Tiranë,
Imami Ahmed Kalaja duke iu
referuar paralajmërimeve të
ambasadës amerikane se mund të
ketë sulme terroriste për Pashkë tha
se kushdo që guxon të prekë kishat
dhe të krishterët do ketë myslimanët
përballë.
“Në historinë shqiptare ka pasur
momente shumë interesante se si
prifti me njerëzit e kishës kanë dalë
në mbrojtje të xhamisë, kur ka pasur
momente që dikush ka dashtë të
shtijë fitilin e përçarjes në emër të
fesë dhe besimit.
Ne jemi të gatshëm si myslimanë të
përsërisim të njëjtën gjë nëse
dikush dëshiron të kërcënojë
katolikët, ortodoksët, të krishterët
shqiptarë, të jemi ne mbrojtësit e
parë dhe të jemi ne rrethi i parë, i
cili e mbron kishën nga çdo lloj
sulmi të mundshëm, që ndonjë njeri
i cili është agjendë e dikujt, që nuk
na intereson, tenton të prishë
harmoninë apo tolerancën
ndërfetare në këtë vend.
Ne si myslimanë jemi gati, jemi të
gatshëm që nëse dikush do të bëjë
tentativa të tilla të kalojë përpara
mbi trupat tonë, të kalojë përpara
mbi gjakun tonë, pastaj të arrijë aty
ku do të arrijë.
Pa kaluar mbi trupat tonë dhe pa
kaluar mbi gjakun tonë nuk mund ta
arrijë një gjë të tillë, sepse atë që e
kemi nuk duam ta humbim dhe nëse
dikush është në shërbim të ndonjë
axhende “X” apo “Y” do të na e
prishë, ne do të jemi të parët ata të
cilët do ta mbrojmë, qoftë edhe me
jetët tona, sepse kështu na mëson
kjo fe e mrekullueshme. Kjo është
feja e Zotit, kjo është feja që na ka
ardhur prej Zotit”, tha Imami Kalaja
para besimtarëve myslimanë.
Duke cituar pjesë nga Kurani ai tha
se ‘nuk mundet askush të cenojë atë
që ne e kemi trashëguar, atë që ne
e kemi pjesë të fesë dhe besimit
tonë, sepse zemrat e njerëzve janë
në dorë të Zotit, s’ka dyshim’.
“Zgjedhjet e njerëzve janë zgjedhjet
e tyre, mirëpo ne jemi njerëz dhe
jemi qytetarë të një vendi ashtu siç
tha pejgamberi i Zotit, salAllahu
alejhi ëe selem, në rastin e
Konventës së Medines për hebrenjtë:
‘Janë të gjithë një ymet, një bashkësi
e vetme me myslimanët; Nëse
kërcënohen hebrenjtë e Medines
myslimanët obligohen që t’i
mbrojnë, ashtu nëse kërcënohen
myslimanët e Medines obligohen
hebrenjtë t’i mbrojnë e të jenë me
myslimanët.’ Kështu që ne nuk po
dalim nga feja dhe besimi me këtë
që themi, përkundrazi themi që
kështu i shërbejmë fesë dhe besimit
dhe kështu jemi me të vërtetë në
gjurmët e të dashurit tonë,
Muhamedit”, tha Imami.
Ai risolli edhe një shkrim të
historianit anglez Thomas Arnold për
shqiptarët.
“Tomas Arnold trajton pikërisht këtë
tematikë: pse pikërisht tek
shqiptarët? Thoshte: janë i njëjti
gjak, kanë të njëjtën kulturë, kanë të
njëjtat tradita dhe zakone dhe s’ka
ndodhur ndonjëherë në historinë e
shqiptarëve që të ketë pasur
përplasje për arsye fetare dhe
besimi.’ Po kështu këtë e kam gjet
në thëniet e shumë qofshin
historianë, shkrimtarë, filozofë
shqiptarë apo të huaj dhe kjo është
një mirësi dhe begati, të cilën duhet
ta ruajmë.
Duhet të falënderojmë Zotin që
është, duhet të falënderojmë ata
dijetarë dhe njerëz të shquar dhe
klerikë të cilët e kanë trashëguar
këtë frymë ndër breza dhe brez pas
brezi, duhet falënderuar hoxhallarët
dhe klerikët e feve të tjera, të cilët i
mëshojnë kësaj fryme dhe i
kushtojnë asaj rëndësi dhe duhet që
ne si besimtarë ta ruajmë këtë frymë
dhe në momentin më të parë që
mund të hasim dikë i cili mund të
jetë i infektuar apo mund të jetë në
shërbim të një agjende të caktuar,
ne duhet të jemi të vëmendshëm, ne
duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe
ne duhet të jemi të parët ata që
reagojmë, që mos të bëhemi si
shembulli i njerëzve në anije që tha
pejgamberi i Zotit”, tha ai.
Imami Kalaja deklaroi më tej se
reagimi duhet të nisë nga vetja e të
mos fajësojmë të tjerët. Ai foli për
axhenda të caktuara që janë të
interesuara të prishin harmoninë
duke thënë se ne nuk do t’i lejojmë
të arrijnë qëllimin e tyre.
“Shembulli i njerëzve me të keqen
është si shembulli i njerëzve që
kishin hipë në një anije dhe kur u
ndanë njerëzit për të jetuar në
anije, disa jetonin në kuvertë, disa
të tjerë brenda anijes dhe
vazhdimisht ata që ishin poshtë
kalonin tek këta që ishin lart
merrnin ujë dhe me këtë ujë kryenin
shërbimet e tyre që kishin. Njëri prej
tyre atje poshtë anijes tha: ‘po pse
t’i lodhim njerëzit, po e hapim një
vrimë këtu në anije dhe kemi ujë të
bollshëm.’ Dhe filluan të punojnë
dhe ata lart e dëgjuan zhurmën e
punës. Tha pejgamberi i Zotit: ‘Sikur
ata lart t’i linin këta mendjelehtët të
hapin vrimën do të mbytej gjithë
anija.’
Kështu që në qoftë se ne nuk
reagojmë, pastaj mos ta hedhim fajin
tek ata apo këta, jo po se mediat,
qafirët, s’ka lidhje. Kur ti je i paditur
dhe i painformuar, je i arsyetuar.
Ama në momentin që ti merr vesh
diçka apo informohesh, atëherë nuk
je më i arsyetuar nëse hesht, sepse
do të mbytesh edhe ti bashkë me
anijen.
E them edhe një herë, janë axhenda
të interesuara që të ndodhin gjëra
të tilla dhe ne jemi shumë më të
interesuar që kurrë gjëra të tilla mos
të ndodhin.
Lus Zotin e madh që këtë begati,
mirësi dhe qetësi dhe siguri që e ka
ky vend të jetë dhe të vazhdojë sa të
jetë jeta.
E Zoti i madh na ruajt neve dhe e
ruajt këtë vend nga çdo njeri, nga
çdo lloj axhende të fshehtë, e cila
do destabilitet, e cila do të prishë
këtë qetësi, mirësi dhe këtë begati
që na ka dhënë i madhi Zot, Allahu,
këtë mirësi dhe begati që e predikon
dhe e inspiron fjala e Zotit, Kur’ani,
këtë mirësi dhe begati që e inspiron
jeta dhe tradita e Pejgamberit,
Muhamed”, theksoi ai.

Share on Google Plus

About albania wap

    Blogger Comment
    Facebook Comment

0 comments: