Sherr në PD, Topalli kundër Bashës

Mbledhja e parë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike pas humbjes së thellë të 21 qershorit, është shoqëruar me kritika dhe pakënaqësi nga deputetët demokratë. Ka qenë ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila nuk ka kursyer kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, për rezultatin e dobët të arritur më 21 qershor, ndërsa ka kërkuar të bëhet edhe një analizë për të gjetur fajin që çoi në humbjen e thellë të demokratëve në shumicën e bashkive. Para ligjvënësve demokratë, Topalli shprehu pakënaqësi edhe për mungesën e organizimit të strukturave kundër krimit dhe blerjes së votës, problem që ajo pretendon se e ka shtruar që në vitin 2013. Debate Deputetja demokrate në fjalën e saj ka rikthyer debatin e hapur më parë edhe në rrjetet sociale për humbjen e zgjedhjeve. Deklaratat e saj u kundërshtuan publikisht nga kryetari i degës Shkodër, Ramiz Çobaj, ai i degës së Lushnjës, Murrizi dhe Osman Stafa i degës së Durrësit, të cilët e cilësuan deputeten demokrate si bashkëfajtore në humbje. Pikërisht për këtë, Topalli i ka kërkuar kreut të PD-së që të ndalë sulmet nga kryetarët e degëve, sulme që sipas saj, janë të nxitura nga Basha. “Ke vendosur disa kryetarë degësh të më sulmojnë mua pas deklaratës ku kam pranuar që kemi humbur zgjedhjet. Por kjo, zotëri, më duket absurde, pasi asnjë nuk mund të më sulmojë për atë çfarë mendoj. I kemi humbur zgjedhjet dhe kam folur atë që mendoj. Jam në PD, sepse është parti e lirisë. Sulmet më kujtuan kur linda armike. Ndali sulmet ndaj meje”, i është drejtuar Topalli Bashës, ndërsa ky i fundit ka shmangur debatin. Pa mbaruar mirë fjalën deputetja demokrate, ka ndërhyrë Mhill Fufi, i cili mësohet se i ka kujtuar Topallit se dhe ajo ka përgjegjësi, pasi e besuara e saj, Lefteri Luzi, që u caktua nga PD-ja në krye të KQZ-së, tashmë nuk është me PD-në. Fufi siç duket, i është referuar faktit që Luzi rrëzoi kandidaturën e vëllait të tij në bashkinë e Kurbinit. Basha pranon humbjen Kreu i demokratëve, Lulzim Basha, është munduar të shmangë përplasjen në grupin parlamentar, duke thënë se ishin mbledhur për të diskutuar se si do të sillej opozita në seancën e radhës në Parlament. Ndërkohë në fjalën e tij, për shqetësimin e ngritur nga Jozefina Topalli, për humbjen e zgjedhjeve dhe rezultatin e dobët të 21 qershorit në rang vendi, ndryshe nga deklaratat e mëparshme, Basha nuk përmendi fjalën fitore, duke u munduar indirekt t’i japë të drejtë deputetes së Shkodrës. “E them me bindje. Por as e mendoj, as e them si alibi. Unë e di se ne të gjithë, me mendje dhe me zemër, kemi pritur dhe dëshiruar një rezultat ndryshe, një rezultat më të mirë nga ky që morëm. Unë dhe gjithë drejtuesit e Partisë Demokratike, nga baza në qendër, kemi një përgjegjësi të madhe për të analizuar në thellësi për rezultatin e këtyre zgjedhjeve, kuti për kuti, bashki për bashki; për të parë më shumë nga vetja jonë, të gatshëm të njohim dhe pranojmë defektet dhe të metat tona, pasi kështu do të bëhemi më të fortë”, u shpreh Basha. Me një fjalim prej 30 minutash, të mbajtur para grupit demokrat, Lulzim Basha dukej sikur lexonte paragrafin që Jozefina Topalli kishte shkruar në fund të postimit të saj në “Facebook”, disa ditë më parë për analizën e 21 qershorit. Që pas zgjedhjeve vendore, Topalli është e vetmja eksponente me ndikim në Partinë Demokratike që ka kërkuar gjetjen e arsyeve të humbjes brenda partisë, dhe jo të ndalet pa fund retorika, duke akuzuar mazhorancën për standardin e ulët të zhvillimit të procesit Zgjedhor. Berisha hesht në mbledhje, por jo në "Facebook" Ndërkohë ish-kryeministri Sali Berisha nuk është ngatërruar në debatet që janë zhvilluar në mbledhjen e grupit të PD-së. Edhe pse ka kaluar më shumë se një javë nga humbja, Berisha nuk ka përmendur fjalën humbje. Përmes një reagimi në mediat sociale, pak pasi mbaroi mbledhje e grupit parlamentar ai shkruan se klika në pushtet e plaçkiti votën e popullit opozitar, duke shndërruat të djathtën shumë herë më të vogël. “Me gjithsej 840 mije vota për kandidatet, koalicioni i qeverise ka sot 45 kryetarë bashkie, apo 300%, apo tre herë më shumë kryetarë të bashkive se sa opozita, e cila ka 671 mijë vota gjithsej 15 kryetar bashkie apo tre herë më pak se sa qeveria, ndërkohë që diferenca në vota në përqindje për kandidatët opozitë/qeveri është gjithsej vetëm 11përqind më shumë për koalicionin qeverisës. Edhe një herë thirrja ime për komunitetin ndërkombëtar është: mos legjitimoni zgjedhjet e 21 qershorit, ato janë zgjedhjet me te padrejta, më të pabarabarta, më të shëmtuara në historinë e këtij vendi. I bëj thirrje popullit opozitar të mos pajtohet kurrë me këtë diskriminim poshtërues për të, që i ndan shqiptarët për fuqinë zgjedhëse të votës në qytetarë të dorës së parë ata që mbështesin qeverinë dhe qytetarë të dorës së tretë ata që mbështesin opozitën, vota e të cilëve kushton vetëm sa 30 pqrind e votës së një mbështetësi të qeverisë”, shkruan Berisha. Kryetarët e degëve Deklarata e deputetes demokrate, Jozefina Topalli, ku tha se humbja e zgjedhjeve lokale të 21 qershorit për PD-në është më e thella në pluralizmin shqiptar, është përcjellë me kundërdeklarata nga disa prej kryetarëve të degëve në rrethe. Pas deklaratave të kryetarit të degës së Shkodrës, Ramiz Çobaj dhe atij të Durrësit, Osman Stafa, ka reaguar edhe kreu i PD-së së Lushnjes, Myslim Murrizi, i cili thotë se arroganca e ish-zyrtarëve të PD-së është një nga shkaqet e humbjes. Reagimi i tij vjen menjëherë pas deklaratave të Jozefina Topallit. “Janë ata që me arrogancën, fudullëkun, pazaret dhe mospërfillje të demokratëve në 8 vite qeverisje bënë që PD-ja të dalë në opozitë në 2013, në një rezultat diskriminues. Janë ata që punuan dhe ndanë tendera e bën biznes me oligarkët e sotëm”, shprehet Murrizi në reagimin e tij. Megjithatë vetë drejtuesit e rinj të PD-së theksojnë se analiza e zgjedhjeve të 21 qershorit duhet të bëhet në çdo degë. “Analiza duhet të bëhet për çdo bashki më vete e për çdo degë PD më vete”, nënvizon Murrizi. Në këtë mënyrë duket se vetë drejtuesit e degëve të selisë blu kanë nisur të përgatiten për përplasjen që pritet të zhvillohet në shtator në selinë blu. Halimi: Një grup pune do të analizojë dështimet në çdo bashki Partia Demokratike do të nisë një analizë të thellë për të evidentuar gjërat që nuk shkuan mirë në zgjedhjet e 21 qershorit. Konfirmimi ka ardhur nga deputeti demokrat Eduart Halimi, i cili tha se do të ngrihet një grup pune që do të kalojë në sitë çdo njësi bashkiake. “Do të jetë një proces analize i thellë që do të fillojë nga seksionet deri tek drejtimi i tyre. Do të ketë një grup pune që do të merret me analizën e çdo bashkie, çdo njësie zgjedhore për të gjetur edhe pikat e dobëta”, tha Halimi. Ndërsa në lidhje me kritikat e ngritur nga deputetja demokrate Jozefina Topalli për humbjet e zgjedhjeve, ai shprehet se është normale që gjithsecili të thotë fjalën e tij. “Çdo njeri është i lirë të bëjë komentet, diskutimet e veta. Thelbi i PD-së është fjala e lirë dhe nëse nuk ekziston fjala e lirë në forumet e PD-së, çfarë mund të presësh pastaj më pas dhe çfarë mund të kërkojë PD më shumë?”, tha deputeti demokrat. Duke i konsideruar zgjedhjet e 21 qershorit të manipuluara nga mazhoranca, deputeti demokrat bëri me dije se PD-ja është duke hartuar një raport për të faktuar shkeljet, që sipas tyre janë bërë gjatë procesit zgjedhor. Halimi tha në fund se PD-ja publikoi një video përmes të cilës, thotë ai, në komunën Pult të bashkisë së Shkodrës, komisionerët e PS-së kanë mbushur me vota fiktive kutitë e votimit. Që pas konfirmimit se PD-ja humbi zgjedhje në shumicën e bashkive është folur për një rokadë që do të përfshijë kryesitë e rretheve. Fillimi i ndryshimeve pritet të nisë në shtator, pas analizës që do të bëjë kryesia qendrore për humbjen e zgjedhjeve lokale. Burime nga PD-ja bëjnë të ditur se në disa rrethe kryesitë e degëve kanë shfaqur pakënaqësi me kryetarët e tyre pas rezultatit që mori PD-ja. Disa nga drejtuesit e degëve, pas zgjedhjes në postet drejtuese, kanë deklaruar se nëse PD-ja nuk del forcë fituese në degët e tyre, do të japin dorëheqje nga posti. Burimet bëjnë të ditur se tashmë kanë nisur lëvizjet për të gjetur emrat e rinj që do të drejtojnë degën e Vlorës, Durrësit, Fierit, Gjirokastrës, Elbasanit dhe Korçës. Madje në degën e PD-së në Durrës dhe Vlorë tashmë mësohet se një pjesë e kryesisë kanë nisur “fushatën” për të gjetur zëvendësuesit e kryetarëve dhe sekretarit aktual të degëve. Bëhet e ditur se pjesë e këtyre lëvizje janë edhe anëtarë të kryesisë, të cilët kanë ndihmuar kryetarët e degëve për t’u vënë në krye të PD-së. Basha: Rama fitoi me presionin e kandidatëve kriminelë Kryetari i PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e grupit të PD-së ka paralajmëruar kërkesën për nisjen e një reforme zgjedhore. Gjatë fjalës së tij, Basha u shpreh se, “zgjedhjet janë problemi më madhor që ka vendi”, duke theksuar se, nevojitet reformë për të shmangur manipulimin e votës. “Nuk mund të kemi integrim pa zgjedhje të lira. E them me bindje, nuk e kam alibi. Unë e di që kemi pritur një rezultat ndryshe nga ky që morëm”, tha Basha para deputetëve të PD-së. Më tej, ai denoncoi me tone të ashpra një sërë abuzimesh, që sipas tij janë bërë gjatë zgjedhjeve vendore. Lideri i opozitës Basha listoi te vargu i shqetësimeve kandidimin e individëve me rekorde kriminale dhe shtoi se dy drejtuesit e koalicionit qeveritar, Edi Rama dhe Ilir Meta, me këtë akt shpërfillën opozitën dhe qytetarët. “Këto zgjedhje janë shënuar me aktin e paprecedent të kandidimit të përfaqësuesve të krimit, trafikantë tutorë, pengmarrës dhe kriminelë të skeduar që dyshja Rama-Meta i kandidoi, pasi refuzoi thirrjet qytetare të opozitës”, tha shefi i selisë blu. Më tej ai tha se pati manipulime, presione të policisë, presione ndaj biznesmenëve demokratë, dhunë fizike ndalime e deri tek kërcënimet me armë të kandidatëve, përfaqësuesve dhe mbështetësve të PD-së. “Angazhimi si kurrë më parë në zgjedhje i të gjithë strukturave të shtetit, tatimorëve, inspektoriateve, drejtorive arsimore, veçanërisht policisë që ushtroi një fushatë dhune, sulmesh, terroresh, kërcënimesh dhe keqtartimesh ndaj aktivistëve, kandidatëve dhe mbështetësve te opozitës”, tha kryedemokrati. Braçe: Lul, shqiptarët të dhanë një milionë thupra bythkave Lulzim Basha ka përsëritur dje akuzat, se zgjedhjet Partia Demokratike i humbi për shkak se mazhoranca bleu votat dhe i manipuloi zgjedhjet me kandidatët kriminelë. Kjo gjë ka irrituar deputetin socialist Erjon Braçe, që thotë se kjo është thjesht një alibi. Sipas tij, shqiptarët i dhanë një milion shuplaka bythkave Lulzim Bashës dhe për këtë arsye, ai humbi. “Kriminelë në zgjedhje? Nuk ka kriminel më publik e të mbrojtur me imunitet se Lulzim Basha. Unë nuk kam pikë dyshimi që Lulzim Basha është një keqbërës ordiner në këtë vend. Të gjithë e tregojnë si dembel, të paaftë, madje shumë kush thotë se ai nuk di të bëjë ndonjë punë. Mashtrues po ashtu. Por është më shumë se kaq, është një keqbërës me pushtet që kudo ku ka shërbyer, ka konsumuar krime. Nuk kisha pikë dyshimi kur do të mbante fjalën e parë para bashkëhumbësve të tij në të njëjtën parti, do të thoshte dy gjëra; E para, zgjedhjet mi vodhën; E dyta, u zgjodhën kriminelë!! Kjo është alibia e tij për një milion thupra bythkave që shqiptarët në mënyrë shembullore i dhanë atij. Zgjedhjet as u vodhën e zgjedhjet nuk i fituan kriminelë!”, shkruan deputeti socialist.
Share on Google Plus

About albania wap

    Blogger Comment
    Facebook Comment

0 comments: